Tor Project, Inc, u shndërrua në një ent 501(c)(3) jofitimprurës më 2006-n, por ideja për “onion routing” zuri fill diku aty nga mesi i viteve ’90.
Njësoj si përdoruesit e Tor-it, zhvilluesit, kërkuesit dhe themeluesit që bënë të mundur Tor-in janë një grup i larmishëm njerëzish. Por krejt personat që janë përfshirë në Tor i bashkon një besim i përbashkët: përdoruesit e internetit duhet të kenë hyrje private në një internet pa censurë.
Në vitet ’90, mungesa e sigurisë në internet dhe aftësia e tij për t’u përdorur për gjurmim dhe survejim po bëhej e qartë dhe, më 1995-n, David Goldschlag, Mike Reed dhe Paul Syverson në Laboratorin e Kërkimeve të Marinës së ShBA-së (NRL) shtruan pyetjen nëse kish një rrugë krijimi lidhjesh internet që s’lënë të duket cili po bisedon me cilin, madje edhe për dikë që mbikëqyr rrjetin.
Përgjigja e tyre qe të krijoheshin dhe viheshin në punë konceptet e para kërkimore dhe prototipa të “onion routing”.
Synimi i onion routing qe të kihej një mënyrë për të përdorur internetin me sa më shumë privatësi që të ishte e mundur, dhe ideja qe të kalohej trafiku përmes shërbyesish të shumtë dhe të fshehtëzohej në çdo hap gjatë rrugës.
Ky është prapëseprapë një shpjegim i thjeshtë se si funksionon sot Tor-i.
Herët gjatë viteve 2000, Roger Dingledine, një i sapodiplomuar i Institutit të Teknologjisë së Masaçusetit (MIT), zuri të punojë në një projekt të NRL-së mbi “onion routing” tok me Paul Syverson.
Për ta dalluar punën e tyre origjinale në NRL nga përpjekje të tjera për “onion routing” që kishin zënë të shfaqeshin ngado, Roxheri e quajti projekti Tor, si shkurtim i “The Onion Routing”. Nick Mathewson, një shok klase i Roxherit në MIT, u bë pjesë e projektit pak më vonë.
Që me konceptimin e tij në vitet 90, “onion routing” u ngjiz për t’u bazuar në një rrjet të decentralizuar. Rrjeti lypsej të mbahej në punë në njësi me interesa të larmishme dhe shkallë të ndryshme hamendësimi besueshmërie, dhe software-i lypsej të ishte i lirë dhe i hapur, për të maksimizuar transparencën dhe decentralizimin.
Kjo është arsyeja pse në tetor të 2002-it, kur rrjeti Tor u vu në jetë për herë të parë, kodi i tij u hodh në qarkullim nën një licencë software-i të lirë dhe me burim të hapët.
Nga fundi i 2003-shit, rrjeti kish afërsisht një duzinë nyjash vullnetare, shumica në ShBA, plus një në Gjermani.
Duke parë përftimet nga Tor-i për të drejtat dixhitale, Electronic Frontier Foundation (EFF) filloi financimin e punës së Roxherit dhe Nikut me Tor-in më 2004-n. Më 2006-n u themelua Tor Project, Inc., një ent jofitimprurës 501(c)(3) për drejtimin e zhvillimit të Tor-it.
Në 2007-ën, enti fillojë zhvillimin e urave drejt rrjetit Tor, për të trajtuar problemin e censurës, si në rastin e nevojës për të anashkaluar firewall-e qeveritarë, me qëllim që përdoruesit e tyre të mund të përdorin web-in e hapur.
Tor-i filloi të fitojë popullaritet mes veprimtarësh dhe përdoruesish të sprovuar të interesuar për privatësi, por ishte ende i vështirë për t’u përdorur nga persona me më pak dije teknike të llojit, kështu që, duke filluar nga 2005-a, filloi zhvillimi i mjeteve tej ndërmjetësit Tor.
Zhvillimi i Shfletuesit Tor nisi më 2008-n.
Me Tor-in të bërë më të përdorshëm përmes Shfletuesit Tor për përdoruesit e përditshëm të internetit dhe veprimtarët, Tor-i qe një mjet i dorës së parë gjatë Pranverës Arabe, duke filluar nga fundi i 2010-s. Jo vetëm që mbrojti identitetet internetore të personave, po u lejoi të përdorin burime kritike, media shoqërore dhe sajte që qenë bllokuar.
Nevoja për mjete mbrojtjeje kundër survejimit në masë u bë një shqetësim i njohur falë zbulimeve nga Snowden më 2013-n.
Tor-i jo vetëm që qe i dorës së parë për nxjerrje sekreti nga Snowden, por lënda e dokumenteve dëshmoi gjithashtu sigurinë se, në atë kohë, Tor-i s’mund të zbërthehej.
Ndërgjegjësimi i njerëzve rreth gjurmimit, survejimit dhe censurës mund të jetë rritur, por po kështu ka bërë edhe mbizotërimi i këtyre pengesave ndaj lirisë në internet.
Sot, rrjeti ka mijëra rele të mbajtura në punë nga vullnetarë dhe miliona përdorues anembanë botës. Dhe është kjo larmi që i mban të parrezik përdoruesit e Tor-it.
Ne në Projektin Tor, luftojmë përditë që cilido të ketë hyrje private dhe pa censurë në internet, dhe Tor-i është bërë mjeti më i fortë në botë për privatësi dhe liri internetore.
Por Tor-i është më shumë se thjesht një software. Është fryt dashurie i prodhuar nga një bashkësi njerëzish të përkushtuar të drejtave të njeriut. Projekti Tor është thellësisht i përkushtuar transparencës dhe parrezikshmërisë së përdoruesve të vet.